Shansi i turizmit shëndetësor në Shqipëri

Duke nisur nga ajo që jemi më tepër tërheqës – shërbimet dentare, pastaj operacionet plastike, kirurgjitë e ndryshme në klinika të specializuara, si dhe shërbimet e kurimit dhe relasit pranë burimeve termale – të gjitha këto janë paketa që Shqipëria ofron për të huajt e interesuar. Përpjekje për të ofruar cilësi, krahas një standardi thuajse të vendosur. Kryefjala e të qenët atraktiv është vetëm një: çmimi i ulët…

Nga Deada Hyka

Ishin italianët ata që praktikuan të parët turizmin mjekësor në Shqipëri. Shërbimet dentare, shumë herë më të lira se në Itali tërhoqën, që pas viteve ’90 shumë prej tyre në vendin e shqiponjave. Tashmë që industria mjekësore ne vend ka përparuar, është shtuar gama e shërbimeve, që zbatojnë teknologjinë dhe metodat e fundit, Shqipëria ka shansin ta zhvillojë më tepër turizmin mjekësore, përmes avantazhit konkurrues të çmimeve të lira, ashtu siç kanë kanë bërë Hungaria, Rumania, Turqia e të tjera shtete në zhvillim.

Kirurgjia plastike, spa-të, fertiliteti janë disa nga shërbimet që po tërheqin turistë të huaj së fundmi në Shqipëri. Vendin kryesor e zënë shërbimet estetike.

Edhe autoritetet shtetërore po punojnë ta kthejnë këtë dukuri në një shërbim të organizuar. Sidomos në vemendje janë burimet termale të vendit.

 

Turizmi i kirurgjisë plastike

Ndërhyrjet plastike në vend po ofrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira europiane dhe aktorët e tregut pohojnë se të pasurit kirurgë, kryesisht italianë, tërheq më shumë vizitorë të huaj.

“Ne po ecim në rrugën e shtruar nga të tjerë para nesh, atë të zhvillimit të turizmit mjekësor”, – pohon Skerdilajd Faria, drejtuesi i klinikës “Keit”.

Të gjitha klinikat e ndërhyrjeve plastike në kryeqytet tregojnë se kanë si synim shndërrimin e Tiranës në një pikë turizmi për kirurgjinë plastike, ku shumë të interesuar, sidomos të rinj italianë, vijnë në vendin tonë për të marrë një shërbim të së njëjtës cilësi, por me çmim sa një e treta a atyre italiane.

 

Turizmi dentar

Shkaku i ardhjes së turistëve dentarë vijon të jetë një: çmimi dhe vetëm çmimi.

Klinika të ndryshme në kryeqytet tregojnë se sidomos për shërbime dentare si proteza, implantologji etj., çmimet janë deri në 70% më të lira se në Itali, nga ku mbërrijnë pjesa më e madhe e pacientëve.

“Nëse në Itali, për një implant duhet të paguash deri në 1500 euro, në Shqipëri, çmimi nuk i kalon 650 euro”, – pohon stomatologia Jonida Haloci.

Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesit e klinikës “Balikci” në Vlorë, turizmin dentar e kanë një pjesë të pashmangshme të aktivitetit të tyre. Ata tregojnë se marketimi i shërbimeve të tyre bëhet me diferencën e madhe të çmimeve dhe me cilësinë e njëjtë. “Ju mund të kurseni 60-80% të kostos më tepër se sa marrja e këtyre shërbimeve në Europë apo SHBA”- pohojnë ata, duke shtuar se cilësia e materialeve është e njëjtë, shërbimet ofrohen me garanci. Një tjetër fakt që ata pohojnë është përpjekja që të jenë gjithëpërfshirës jo vetëm në shërbime, por edhe në komunikim. “Duke qenë se kemi klientë nga shumë shtete europiane dhe rajoni, është bërë domosdoshmëri të njohurit e gjuhëve kryesore të huaja”,- tregojnë ata.

Mjekët nga klinika “Toronto Dental” tregojnë se çmimet në klinikat vendase janë 30% më të lira se në klinikat në rajon, por te ne “çalon” akomodimi për të huajt, që Serbia për shembull dhe Maqedonia e ofrojnë më tepër në formë paketash.

“Kemi kërkesa nga klientë të huaj, por mungon bashkëpunimi i frytshëm me hotelet për të krijuar një paketë të plotë. Në këto raste, çmimi rezulton i lartë nga akomodimi”,- pohojnë ata.

 

Turizmi i mirëqenies

Drejtuesit e qendrave Spa në kryeqytet pohojnë se të huajt po bëhen klientë besnikë të tyre, jo vetëm ata rezidentë të përkohshëm, por edhe vizitorë, duke bërë që kjo ‘industri’ të jetë tërheqëse edhe për turistët. “Të shumtë janë vizitorët e huaj që në momentin që vizitojnë Shqipërinë për turizëm kulturor apo të bukurive natyrore, afrohen pranë qendrave tona për të marrë shërbime Spa, të cilat i preferojnë së tepërmi”,- tregon Emona Begolli, menaxhere në “Velur Spa”, Tiranë.

Ekspertët pohojnë se shërimi për klientët, krahas relaksit, është tashmë forma më inovative e mjekësisë popullore. Vendi ynë është i pasur me burime të ujërave termale dhe “kurative” dhe me qendra të ndërtuara pranë tyre, ndër të cilat mund të përmendim:

Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, të cilat kanë efekte kurative të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor.

Llixhat e Elbasanit, ujërat e së cilës kanë vlera të larta terapeutike ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake.

Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.

Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme, siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamë etj.

Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku 6 burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.

 

Turizmi i fertilitetit

Shqipëria konkurron me çmime të favorshme jo vetëm në trajtimet shëndetësore, por edhe në gjithçka tjetër që i nevojitet një të huaji për të përmbushur një paketë të mirë qëndrimi dhe rehabilitimi të këndshëm disaditor. Menaxherja e marketingut pranë Spitalit Amerikan, Oriela Cano, duke theksuar se ka nisur të zhvillohet turizmi i fertilitetit në Shqipëri, pohon se cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa ajo që ofrohet në klinikat më të mira perëndimore. “Shqipëria, një vend që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ka ende shumë sfida e probleme për të kapërcyer, por përbri sfidës së shërbimit mjekësor, duhet të vendoset një ‘ticket’ pohuese. Dhe këtë e pohojnë të huajt. Në spitalin tonë, ndër vite janë trajtuar pacientë të huaj për probleme të ndryshme shëndetësore”, – tregon znj. Cano.

Sa i përket turizmit të fertilitetit, ajo tregon se çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vendosësh emrin në listë për një kohë të gjatë. Përveç promovimit, ajo tregon se zhvillimi i një turizmi të tillë ka ardhur edhe nga arsye si përvoja e gjatë e mjekëve, qoftë vendas dhe të huaj, si dhe metodat e avancuara për të ngjizur një fëmijë.

 

Organizimi, AKT: Këtë vit, studim dhe program për turizmin shëndetësor

Ardit Çollaku, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, tregon për “Monitor” se turizmi shëndetësor do të jetë një ndër pikat që është pjesë e planit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me bashkitë e zonave. “Ajo për të cilën njihet Shqipëria, që shumë vite më parë, janë vendet me burime ujërash termale. Por, vendet e rajonit e kanë më të zhvilluar se sa ne këtë formë turizmi. Synimi ynë është që ta bëjmë të zhvilluar dhe të qëndrueshëm edhe në vendin tonë”,- pohon z. Çollaku. Ai bën të ditur se aktualisht, Ministria e Ekonomisë ka marrë përsipër të organizojë një studim përkatës posaçërisht për turizmin shëndetësor.

“Shqipërisë i ka munguar deri më sot një studim i tillë se si duhet të organizohet ky lloj turizmi; çfarë duhet të bëjnë strukturat përkatëse por edhe shteti për të marrë përsipër infrastrukturën e nevojshme; dhe si mund të bashkëpunohet për promovimin së bashku të këtyre zonave. Aktualisht, ky studim është në programin e MZHETTS për vitin 2016, presim brenda vitit të përfundojë dhe do të fillojë zbatimin më pas. Faza e dytë do të jetë promovimi i të gjitha strukturave akomoduese për këto lloj shërbimesh, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e cila duhet marrë përsipër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit”,- tregon z. Çollaku.

Megjithatë, disa portale si “Medical Tourism Albania” organizojnë promovime dhe vendosin urat e duhura të kontakteve mes të interesuarve të huaj dhe instancave në vendin tonë si klinika, spitale etj., në bashkëpunim edhe të agjencive turistike. Duke marrë rolin e lehtësuesit, ky portal shërben si një guidë drejt të gjithë ekspertëve të fushave për të cilët të huajt interesohen, sidomos me një rritje të aktivitetit këto dy vitet e fundit.

 

Rajoni më mirë, përsëri të fundit

Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia dhe Hungaria janë ndër vendet në Europë që me nisjen e krizës ekonomike të 2008-s, filluan të investonin në klinika me standarde dhe eficiente, për të gjithë amerikanët dhe europianoperëndimorët, për procedura mjekësore që atyre nuk ua mbulojnë sigurimet në vendet e tyre. Shërbimet në këto vende janë të një cilësie të lartë, kundrejt çmimeve vërtet konkurruese, duke e zhvilluar më tepër këtë formë turizmi, që tani ka kapur majat.

Lajme të mira sërish nga Maqedonia. Të ardhurat nga turizmi shëndetësor në Maqedoni tregojnë se ky shtet ka përparësi nga pjesa tjetër e rajonit. Sipas një raporti të Eurostat, në vitin 2014 të ardhurat shkuan në 73 mln euro, kryesisht nga vizitat e fqinjëve. Sipas të njëjtit raport, për shërbimet dentare dhe ato të burimeve termale, në Maqedoni shkojnë shtetas turq, amerikanë si dhe nga shtetet perëndimore dhe veriore europiane. Serbia ndjek Maqedoninë me një total të ardhurash prej 52 mln euro për turizmin shëndetësor në përgjithësi, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 48 milionë euro. Për Shqipërinë, raporti tregon fitime më të ulëta dhe se vizitorët për turizmin shëndetësor kryesisht janë nga Kosova, Maqedonia, Italia dhe Greqia.

 

 

Flet Ardit Çollaku, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit

“Ujërat termale, avantazhi kryesor i Shqipërisë”

 

Cilët janë programet që aktualisht po ndiqni për të promovuar turizmin?

Shqipëria njihet se ka potenciale turistike, duke e krahasuar atë me vendet e tjera të rajonit, mbetet një ndër aktorët kryesorë për tërheqjen e turistëve në rajon. Duhet pasur parasysh se kërkesa e turistëve të huaj për vendin tonë është gjithmonë e në rritje. Në shifrat e fundit që kemi pasur, disa operatorë të ndryshëm kanë deklaruar se po të flasim për kërkesat janë rritur 3.5 herë krahasuar me një vit më parë, për disa zona të caktuara në vendin tonë. Turistët çekë, rusë dhe ukrainas kanë qenë të shumtë në numër, që arrijnë edhe shifra 5 herë në rritje. Ndër faktorët që kanë ndikuar janë ata rajonalë, si momenti i Turqisë me Rusinë, situata në vende si Maroku, Tunizia. Ndaj një pjesë e turistëve janë fokusuar drejt Shqipërisë, edhe ngjarjet e fundit në Paris kanë qenë një ndër ndikuesit që është kthyer vëmendja te Shqipëria. Ndërkohë edhe panairet e zhvilluara në Europë së fundmi, ai i Vjenës dhe i Spanjës, kanë qenë nxitës i interesit nga mediat vendase për të promovuar vendin tonë. Ne synojmë që të shndërrojmë turizmin sezonal në atë gjithëvjetor, kapacitetet për të cilat i ka vendi ynë, mirëpo duhet investuar edhe më tepër në infrastrukturë rrugore dhe akomoduese.

 

Çfarë formash të tjera turizmi (përveç atij tradicional) ofron vendi ynë?

Aktualisht kemi 5 Federata me të cilat po bashkëpunojmë për të nxitur zhvillimin e asaj që konsiderohet turizmi sportiv: rafting, parashutizmi, çiklizmi, garat Rally me makina, alpinizmi etj. Për këtë lloj turizmi kemi marrë indicie nga operatorët turistikë që interes kanë sidomos europianoveriorët. Së fundmi kemi nisur të dëgjojmë edhe turizmin për motive fetare, po të marrin parasysh se ne kemi vende të cilësuara të shenjta si p.sh. Kisha e Laçit (një ndër pikat që vizitorët në vit arrijnë shifrat mbi 1 mln). Por duhet punuar për ofrimin më cilësor të kushteve infrastrukturore dhe akomoduese. Në të njëjtën kohë duhet reklamuar më tepër.

Nga ana tjetër, kemi edhe turizmin shëndetësor. Kjo do të jetë një ndër pikat që është pjesë e planit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe me bashkitë e zonave. Ajo për të cilën njihet Shqipëria, që shumë vite më parë, janë vendet me burime ujërash termale. Por, vendet e rajonit e kanë më të zhvilluar se sa në këtë formë turizmi. Synimi ynë është që ta bëjmë të zhvilluar dhe të qëndrueshëm edhe në vendin tonë. Aktualisht, disa nga të dhënat që kemi, numërojmë disa burime ujërash termale, një ndër të cilat ndodhet pranë kryeqytetit, ai në Biliat, pranë Fushë-Krujës. Aktualisht aty është ngritur një qendër rehabilitimi e re, kurative, e cila funksionon në mënyrën e duhur, por që të jetë sa më tërheqëse edhe funksionale, duhet investuar më tej, jo vetëm në këtë pikë, por edhe në të gjitha burimet në vendin tonë. Në dijeninë tonë, në këto zona në Shqipëri, strukturat, pra qendrat, janë ngritur dhe ofrojnë shërbime të specializuara, me staf të kualifikuar. Ajo që duhet më së shumti është promovimi për këto zona, një ndërlidhje mes institucioneve përkatëse dhe operatorëve turistikë. Tërheqëse nuk duhet bërë vetëm për të huajt, por edhe për shqiptarët, rajonin etj.

 

Çfarë masash mund të merren në funksion të ofrimit të cilësisë më të lartë të këtyre shërbimeve?

Është hera e parë këtë vit që Ministria e Ekonomisë ka marrë përsipër të organizojë një studim përkatës posaçërisht për turizmin shëndetësor. Shqipërisë i ka munguar deri më sot një studim i tillë se si duhet të organizohet ky lloj turizmi; çfarë duhet të bëjnë strukturat përkatëse por edhe shteti për të marrë përsipër infrastrukturën e nevojshme; dhe si mund të bashkëpunohet për promovimin së bashku të këtyre zonave. Aktualisht ky studim është në programin e MZHETTS për vitin 2016, presim brenda vitit të përfundojë dhe do të fillojë zbatimin më pas. Faza e dytë do të jetë promovimi i të gjitha strukturave akomoduese për këto lloj shërbimesh, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e cila duhet marrë përsipër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. Përfaqësia që do të bëjë qeveria në panairet ndërkombëtare apo në takimet bilaterale do të ketë këtë pjesë të promovimit të vendit, krahas të tjerëve. Promovimi, deri më tani, ka qenë për detin, për bukuritë natyrore, por jo ato çfarë ofrohen në brendësi, për të rritur shumëllojshmërinë e turizmit, si dhe për të ofruar qëndrueshmëri dhe atraksion për turistin e huaj.

 

A kanë kërkuar ndonjëherë ndihmë nga AKT, institucionet shëndetësore si spitalet private, shoqatat dentare apo biznese të fushës së kirurgjisë plastike, për të promovuar këtë lloj turizmi?

Deri tani nuk ka ndodhur, por Agjencia nuk do të qëndrojë në pritje që të vijnë kërkesa të tilla, por përkundrazi, ne do marrin vetë iniciativën që të realizojmë një marrëdhënie mes palëve për një organizim më të mirë dhe do të bëhemi promotorët e vendit tonë. Kjo është në planet e programit të 2016-s.

 

Tregu global i kujdesit shëndetësor

Tregu global i kujdesit shëndetësor nisi të zhvillohej nga fundi i shekullit të 19, kur pacientët nga vende më pak të zhvilluara të botës me burimet e nevojshme filluan të udhëtojnë në qendrat më të mëdha mjekësore në Europë dhe në SHBA për të marrë trajtime mjekësore që nuk janë të disponueshme në vendet e tyre. Por, duket se situata ndryshoi këto 5 vitet e fundit, ku në fakt, shtetas të ekonomive në zhvillim, sidomos pas krizës ekonomike të vitit 2008, nisën të marrin shërbimet shëndetësore në vendet postkomuniste, të cilat ofrojnë standard të mirë, kundrejt çmimeve konkurruese. Për pacientët nga vende shumë të industrializuara, arsyeja kryesore e shërbimit mjekësor në vende më pak të zhvilluara është kostoja më e ulët. Pacientë të tillë që konsiderojnë më së shumti koston, zgjedhin të pranojnë një shërbim jashtë vendit për çmime, që mund t’i përballojnë më mirë. P.sh., një pacient nga SHBA i shtresës së mesme dhe që nuk ka mbulim shëndetësor (sigurime) preferon këtë lloj shërbimi mjekësor.

Grupi tjetër i turizmit mjekësor janë njerëzit që kërkojnë kirurgji kozmetike, shërbim dentar, trajtim fertiliteti dhe trajtime jo të mbuluara nga siguracioni shëndetësor. E përbashkëta e të dyja grupeve është që të ardhurat e tyre janë të tilla që mund të përballojnë kostot e ulëta të shërbimit shëndetësor turistik, por janë të pamjaftueshme të përballojnë të njëjtat shërbime në tregun e tyre vendas. Në disa vende, ku siguracionet mjekësore janë shtetërore, shkak për largimin e pacientëve janë listat e gjata të pritjes. Në Kanada dhe Angli, siguracionet shëndetësore nuk mbulojnë operacionet kozmetike dhe për një çmim shumë më të ulët, pacientët shkojnë në vende të tjera.

Për disa pacientë, veçanërisht ata të kirurgjisë plastike, procedurat e ndërrimit të seksit dhe rehabilitimi i drogës, zgjedhin turizmin mjekësor, për shkak të konfidencialitetit dhe privatësisë në vende të largëta. Por, disa pacientë kërkojnë kujdes shëndetësor jashtë vendit, thjesht për të udhëtuar në vende ekzotike dhe pushimi të rrethuara nga ambiente luksoze.

Duhet pasur parasysh se arsyeja kryesore që qendrat mjekësore në vendet në zhvillim janë të afta të sigurojnë shërbime të kujdesit shëndetësor jo të kushtueshme lidhet me gjendjen ekonomike të vetë vendeve. Me të vërtetë, çmimet për shërbimin shëndetësor në përgjithësi përkojnë me të ardhurat për frymë të popullsisë. Në të njëjtën kohë, tarifat për shërbimet shëndetësore janë të përshtatshme për nivelin e zhvillimit ekonomik në të cilin sigurohen shërbimet. Shpenzimet e ulëta administrative dhe ato të stafit mjekësor gjithashtu luajnë rol për koston e ulët të kujdesit mjekësor jashtë vendit. Për shembull, siguracionet që paguajnë për një mjek kirurg në Indi është 4% e asaj që një kirurg paguan në Nju Jork. Një element i rëndësishëm në turizmin mjekësor është ndikimi i fuqishëm i kushteve në vendet e destinacionit. Të ardhurat e mira që fitojnë këto klinika nga këta pacientë krijojnë mundësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të akomodimit, duke e bërë përherë e më tërheqës shërbimin.

Burimi: Monitor.al

Related posts

Leave your comment Required fields are marked *